Zhitoshë, Prill 2024 – Fushata për promovimin e programeve studimore dhe kushteve për t’u regjistruar në UNT u prezantua edhe para maturantëve të gjimnazit “Rilindja” që mbulon shkollat fillore të rajonit të Prilepit dhe Krushevës. Përgjegjësi i ekipit promovues për anën e Pelagonisë, prof.dr. Mustafa Ibrahimi u prit nga drejtori i gjimnazit Valmir Shaqiri dhe pedagogu Miraim Bajrami të cilët theksuan se në gjimnaz mësimin e ndjekin 290 nxënës, prej tyre 57 maturantë, kurse për mësimin kujdesen 37 profesorë dhe 10 administrues. Në kuadër të gjimnazit funksionon edhe biblioteka me dy bibliotekistë me një fond të pasur librash.

Për ofertën e programeve studimore për së afërmi i njoftoi prof.dr. Mustafa Ibrahimi, i cili në detaje prezantoi të gjitha drejtimet e tetë fakulteteve studimore që ofron Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup. Më pas maturantët u njoftuan me numrin e përgjithshëm të studentëve, si dhe me studentët e kësaj ane që studiojnë në UNT. Prof.Ibrahimi theksoi se numri i studentëve për çdo vit rritet, sot në UNT studiojnë rreth 5000 studentë, midis tyre edhe një numër i konsiderueshëm edhe nga ana e Pelagonisë.

Duke folur për kushtet e studimit, prof.Ibrahimi theksoi se përveç programeve të shumta studimore, UNT-ja ofron edhe kushte bashkëkohore për mbajtjen e ligjëratave, bibliotekë moderne dhe hapësirë për parking dhe gjelbërimi që mundësojnë kushte për ngritje akademike dhe intelektuale të çdo studenti të ardhshëm që do regjistrohet në UNT. Ai theksoi se në UNT aplikohen metodat më të reja të studimit, stimulohet procesi kërkimor-hulumtues, për të qenë në hap me ndryshimet shoqërore dhe nevojat e tregut të punës.Maturantët ndoqën më vëmendje prezantime, duke treguar interesim për disa programe studimore.

Në fund disa maturantë parashtruan pyetje për kushtet, programet dhe çështje tjera që ju intereson, duke marrë përgjigje adekuate dhe duke u ndarë fletushka me informata të detajuara për programet studimore.

By