Veles, Prill 2024 – Maturantët e shkollës së mesme “Koço Racin” në Veles, edhe këtë vit hapën dyert për programet studimore që ofron UNT-ja për vitin akademik 2024/2025. Për kushtet dhe programet e shumta studimore, para maturantëve folën prof.dr. Mustafa Ibrahimi, si dhe Suat Usejni nga Jabollçishta, profesor i jashtëm në gjimnazin e Velesit dhe demonstrator në UNT.

Në pjesën joformale, Usejni na tregoi, se historiku i mësimit të mesëm në gjuhën shqipe në Veles fillon me hapjen e paraleles së parë shqipe në Shkollën e Mesme “Koço Racin”, në vitin shkollor 2008/2009, kur  u regjistruan 36 nxënës shqiptarë. Nga ky gjimnaz, deri më sot në UNT janë regjistruar rreth 40 studentë, kurse kanë diplomuar 10 studentë, prej tyre një është në studime të magjistraturës. Këtë vit në gjimnazin “Koço Racin” të Velesit mësimin e ndoqën 22 maturantë shqiptarë, kryesisht nga dy Jabollçishtat, Buzallakova, Slivniku e ndonjë fshat tjetër.

Në sallën e bibliotekës së shkollës, tashmë ishin mbledhar maturantët dhe prisnin me padurim takimin. Falë organizimit dhe motivimit nga ana e profesor Usejnit, salla ishte plot. Në cilësinë e koordinatorit takimin me maturantët e hapi prof.dr. Mustafa Ibrahimi, duke theksuar se ky takim është në vazhdën e dy takimeve të mëparshme, njëri në rrethin e Prilepit dhe Krushevës si dhe  tjetri në atë të Manastirit. Midis tjerash prof.Ibrahimi theksoi se: “këtu jemi mbledhur për të promovuar ofertën akademike të UNT-së për vitin akademik 2024/2025 me rreth 40 programe studimore në tetë fakultetë në kuadër të UNT-së.

Prof. Ibrahimi, maturantët i njoftoi edhe me mënyrën e regjistrimit, kushtet e studimit në Kampus, beneficionet si studentë e shumë çështje tjera me interes për ta dhe prindërit.Padyshim ky numër garanton një të ardhme të ndritur për shqiptarët e Velesit dhe më gjerë, u shpreh Suat Usejni, profesor aty dhe  magjistrant në UNT. Midis tjerash, ai theksoi se, UNT-ja jo vetëm që ofron kushte konform standardeve më të larta, por është edhe institucion që ndihmon dhe ndikon për emancipimin, mirëqenien dhe ngritjen intelektuale të shqiptarëve të Velesit. Si motivim, ai tehksoi  faktin se të gjithë studentët e Velesit që diplomuan janë të punësuar.Në fund maturantët parashtruan pyetje për shumë çështje me interes për ta, duke marrë përgjigje adekuate nga profesorët.

By