Në përkujtim të Justina Shkupit, një emër i madh, i harruar në sirtaret e historisë

𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 8 𝐦𝐚𝐫𝐬 𝟐𝟎𝟐𝟏 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, 8 Marsin – ditës inernacionale të gruas ia përkushton Justina Shkupit, infermieres shqiptare të Luftës së Spanjës, këtë Florence Nightingal shqiptare, të cilën do të duhej ta njihnin të gjithë shqiptarët.

Kush ishte Justina Shkupi?

Për Justina Shkupin, është shkruar shumë pak. Ajo u lind në Shkup, më 26 shkurt 1909. Ishte e vetmja femër shqiptare që kishte qenë mes dhjetëra vullnetarëve antifashistëve shqiptarë të Luftë së Spanjës ku kishte shërbyer bashkë me Xhemal Kadën, Asim Vokshin, Teni Konomin, Ramiz Varvarica, Emrush Miftarin, shkrimtarin e madh Petro Marko dhe luftëtarë të tjerë internacionalistë.

Petro Marko e ka përjetësuar emrin e infermieres së njohur dhe luftëtares Justina Shkupi në romanin “Hasta la Vista”, ku e quan “motra Justina Shkupi”. Për nder të saj në ato vite ne Madrid një rrugë mori emrin Justina Shkupi. Pas Spanjës, Justina shërbeu si infermiere në Tiranë. Por, edhe pse është një personalitet i rëndësishëm në luftën antifashiste për liri, nuk u bë asgjë për të kujtuar emrin e kësaj gruaje të shquar shqiptare. Ajo vdiq e vetmuar si infermiere në Tiranë dhe me kalimin e viteve iu shua edhe emri mbi varr.

Emrin e Justina Shkupit e ktheu në vetëdijen shqiptare mikja e saj e fëmijërisë dhe shoqja e saj e bangës në shkollën fillore të Shkupit, Gonxhe Bojaxhiu. Nënë Tereza e shenjtë gjatë vizitës në Tiranën komuniste, në vitin 1989, kërkoi edhe varrin e shoqes së saj të fëmijërisë. Nëna Terezë nuk u largua nga Tirana pa e gjetur varrin e saj ku i vuri lule, dhe e përjetësoi kujtimin e veprës së saj. Të dyja shoqet, ishin ndarë nga njëra tjetra në moshë të re për të vepruar dhe realizuar ënërrat e tyre për një botë më të mirë. Atëhere, asnjëra nuk e dinte se ishin ndare për të mos u parë më kurrë.

Justina Shkupi dhe Gonxhe Bojaxhiu ishin dy shkupiane internacionaliste, që kishin lënë mënjanë jetën e tyre personale për t’iu përkushtuar pa kufi një qëllimi më të madh, njerëzve në nevojë dhe njerëzimit.

Justina Shkupi, grua e shquar shqiptare “si e dalë prej tjetër kohe”! Gëzuar festa e 8 Marsit!

Poezi: Justina Shkupi

“Një mijë e një vjeçe.
E thinjur si natë Mesdheu.
Pa fëmijë.Krejtësisht e dehur.
Ajo që Spanjës i pati lidhur plagët
dha frymën e fundit në një klinikë të shkretë.
Tek koka i bënte diell një Poet” * (*Petro Marko)

Xhevahir Spahiu, Vëllimi poetik “Pezull” (f.15; “Onufri”, 1996).

By