Me rastin e 5 Shtatorit – Ditës ndërkombëtare të bamirësisë

‘VLERA UNIVERSALE E VEPRËS SË NËNË TEREZËS’
Shkruan: Prof. Dr. Aziz Pollozhani, rektor i Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup
Udhëtimi misionar i Nënë Terezës fillon në mesin e shekullit të kaluar me thirrjen brendshme për t’i kushtuar jetën e saj lehtësimit të fatkeqësisë, sëmundjes dhe mjerimit.
Megjithëse përpjekjet e saj vetëmohuese fillojnë në vendlindjen e saj këtu në Shkup, si një dëshirë abstrakte për të ofruar ndihmë, ato shpejt u përhapën dhe ndërmorën hapa konkretë drejt sigurimit të kushteve elementare për mbrojtje shëndetësore, arsimin dhe përkujdesjen e të varfërve.
Jehona e efekteve transformuese të dekadave të punës së saj është e mbresëlënëse dhe po rrezaton edhe pas vdekjes së saj.
Së këndejmi, duke pranuar rëndësinë historike të meritës së saj si një shtytës i ndryshimit rrënjësor afirmativ shoqëror, Kombet e Bashkuara festojnë 5 Shtatorin, ditën e vdekjes dhe të shenjtërimit të saj, e shpalli si Ditën Ndërkombëtare të Mëshirës, duke siguruar kështu një motiv tjetër për nxitje individuale dhe shoqërore për ndryshim në shkallë globale.
Me këtë, vepra e Gonxhe Bojaxhiut edhe një herë, pas laurimit me çmimin Nobël për paqë, iu njoh vlera e pakontestueshme universale.
Një nga arsyet kryesore për vlerën universale të veprës së Nënë Terezës është fakti se ajo i kushtohet një problemi universal – varfërisë, si një gjendje pa përcaktues kohorë dhe hapësinorë.
Ajo mund të dëshmohet sot lehtësisht edhe sot po aq sa në shekullin e kaluar dhe shekujt para tij. Shpërndarja e pabarabartë e të mirave materiale, pabarazia ekonomike në rritje, zhvendosja dhe migrimi i popullatës, qasja e pabarabartë në shërbime cilësore shëndetësore dhe arsimore kontribuojnë në polarizimin e skajshëm shoqëror jo vetëm në vendet në zhvillim, por edhe në shoqëritë e zhvilluara.
Në të njëjtën kohë, në garën e pamëshirshme për të përmbushur kërkesat e tendencave moderne, zhvillimi i shpejtë teknologjik dhe industrial shpesh anashkalon parimet e etikës dhe dinjitetit njerëzor, duke provokuar kështu drejtpërdrejt një sërë procesesh ciklike që përkeqësojnë problemin e varfërisë globale.
Një proces i tillë lidhet me efektin gjithnjë e më të madh negativ të ndryshimeve klimakterike, i cili po varfëron mjedisin dhe shton shkaqet e drejtpërdrejta të migrimit të detyruar duke ndryshuar rrënjësisht strukturën dhe shpërndarjen e komuniteteve të tëra shoqërore.
Nga ana e tyre, megjithëse flukset e migrimit nuk janë vetëm një tipar i kohëve moderne, ne shohim se ato shpesh janë të shoqëruara nga retorika armiqësore dhe diskriminuese nga vendet pritëse të emigrantëve, e cila pasohet me politikë përjashtuese, mungesë solidariteti dhe refuzimi.
Për këtë arsye fiton në peshë dhe bëhet kuptimplotë misioni i Nënë Terezës mbi varfërinë. Gjegjësisht, uria materiale, pabarazia pronësore dhe mungesa e të mirave ekonomike nuk janë treguesit e vetëm të varfërisë.
Sipas fjalëve të Nënë Terezës, varfëria individuale dhe kolektive reflektohet në ndjenjën se ne jemi të padëshirueshëm, të papranueshëm dhe të lënë jashtë kujdesit të shoqërisë. Në këtë kuptim, synimet e bamirësisë marrin kuptim dhe një mision shumë më të gjërë duke rritur kështu edhe përgjegjësinë tonë si shoqëri dhe si individ në këtë drejtim.
Përveç angazhimeve për të zbutur efektet e krizës humanitare për ushqim dhe strehimit, kujdes shëndetësor dhe për arsimim, bamirësia si parim themelor është rrënjosur thellë si vlerë kulturore. Empatia dhe solidariteti ndërnjerëzor mbeten në thelbin e vizionit njerëzor për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të komuniteteve të margjinalizuara dhe njerëzve tjerë në nevojë.
Duke marrë parasysh rolin kryesor të veprimatrisë arsimore për mbështetjen e praktikave të mira drejt ndryshimeve afirmative shoqërore, Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup është përpjekur që nga fillimi i tij për të nderuar frymën dhe veprën madhështore të emrit që këtë universitet e nderon.
Me rastin e Ditës ndërkombëtae të bаmirësisë, në emër të Universitetit Nënë Tereza, bëj thirrje për mirëkuptim dhe dialog më të thellë në nivel individual, lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, me bindjen se vetëm nëpërmjet angazhimit të hapur dhe qasjes altruiste do të jemi në gjendje për t’u përballur dhe për të tejkaluar krizat e tashme por edhe ato që mund tëna vijnë, gjithmonsë duke e pas ndërmend mendimin e
Nënë Terezës : “ Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.