Shkup, 16.11.2021 Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup Prof. Dr. Aziz Pollozhani sot priti në një takim pune drejtorin e Akademisë ‘Tempulli’ nga Prishtina, Prof. Dr. Muhamed Krasniqin, me të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje dy institucionet kanë rënë dakord për të shkëmbyer personelin akademik për proçesin mësimor, shkëmbimin e pedagogëve, të kërkuesve dhe të studentëve në kuadrin e veprimtarisë kërkimore shkencore. UNT dhe Akademia ‘Tempulli’ do të nxisin dhe mbështesin realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe formuese, do të organizojnë konferenca, seminare e botime në fusha me interes të dyanshëm.
Dy institucionet do të shkëmbejnë edhe përvojat lidhur me menaxhimin institucional, zhvillimin e programeve hulumtuese, projekteve kërkimore-shkencore, dhe projekteve të tjera të cilat janë me interes të të dy institucioneve.
Qëllimi i kësaj Marrëveshje të Bashkëpunimit është përcaktimi i fushave dhe mënyrave të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.
Të dyja këto institucione kanë për qëllim identifikimin e iniciativave për promovimin dhe mbështetjen profesionale në zhvillimin e gjithëmbarshëm socio-ekonomik të rajonit ekonomik të dy institucioneve.
Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup që nga themelimi pesë vite më parë ka nënshkruar mbi gjashtëdhjetë memorandume bashkëpunimi me universitetete dhe institucione të arsimit të lartë nga rajoni dhe Evropa, në bazë të të cilave zhvillon bashkëpunim në fusha të ndryshme.