Shkup, 14.02.2023 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup realizoi me sukses ditën e parë të trajnimin dedikuar stafit akademik dhe administrativ me temë: “Sfidat e zhvillimit të universitetit për plotësimin e nevojave të gjeneratave të reja”.
Gjatë trajnimit punonjësit u njoftuan me planet zhvillimore dhe strategjinë e veprimit për vitin 2023, si dhe u prezantuan të dhënat e mbledhura nga Zyra për Cilësi, nga puna semestrale, ku janë anketuar regullshmëria e mbajtjes së ligjeratave, notat mesatare të secilit fakultet dhe përqindja e kalueshmërisë së studentëve.
Rektori i UNT-së Prof. dr. Izet Zeqiri në prezantimin e tij tha se Universiteti ‘Nënë Tereza’ po zhvillohet në drejtim të duhur, janë shënuar suksese në çdo drejtim, ndërsa mangësi ka vetëm në plotësimin e kushteve më të mira për studentët, për arsye se akoma mësimi zhvillohet në objekte të huaja.
Rektori Zeqiri foli mbi sfidat e zhvillimit të UNT‐së, për mënyrat se si mund të ecë përpara, si të zhvillohet mentalitet për t’u bërë një universitet me performancë më të lartë, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën për shërbim dhe komunikim të shkëlqyer me studentët dhe stafin si parakusht për kënaqësinë dhe angazhimin e tyre institucional.
Prezantime kishin edhe prorektorët, kryetarja e Senatit dhe drejtori i Zyres për cilësi, të cilët diskutuan për praktikat më të mira të mësimdhënies, të nxënit, të vlerësimit dhe për profesorët me rezultatet më të larta nga vlerësimi i studentëve, të përcaktuara nga vlerësimi i studentëve të semestrit veror dhe dimëror, të vitit akademik 2022‐2023.
Në trajnim u tha se Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup duhet të zhvillohet në bazë të mjedisit që e rrethon atë, sepse në bazë të vendnodhjes që ka në qendër të kryeqytetit, me drejtime studimore tërësisht deficitare, me tre fakultete të reja, dhe me program që ofron tre gjuhë studimi, atë shqipe, maqedonase dhe angleze, duhet të jetë konkurent serioz për secilin universitet publik, por edhe privat në vend.