Universiteti “Nënë Tereza” sot prezantoi të dhënat nga projekti Erasmus+ për mbrojtjen e të rinjve nga rreziqet e rrjeteve sociale

𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟏𝟑.𝟎𝟐.𝟐𝟎𝟐𝟑 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, sot përmes një Panel diskutimi prezantoi të dhënat nga projekti Erasmus Plus për mbrojtjen e të rinjve nga rreziqet që u vijnë nga rrjetet sociale.

Projekti ka të bëj me rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që lidhen me rrjetet sociale, si varësia nga mediat sociale, takimet e rrezikshme me të huajt, vjedhja e të dhënave personale dhe financiare, mungesa e kontaktit ballë për ballë dhe aftësive ndërpersonale, izolimi social dhe ulja e mirëqenies mendore.

Rektori i UNT-së Prof.dr. Izet Zeqiri para pjesëmarrësve, profesorit Naser Miftari dhe maturantëve nga gjimnazi ‘Zef Lush Marku’ në Shkup, përfaqëueses së Ambasadës së parë për fëmijë ‘Megjashi’, Fatmire Ajdari dhe bartësit të projektit, profesor Vlladimir Kitanovski nga UNT, tha se statistikat tregojnë se të rinjtë vetëm 9 për qind e kalojnë kohën në internet për mësim, 14 për qind për zbavitje dhe 50 përqind për tu informuar. Rektori Zeqiri në prezantimin me temë ’Ndikimi negativ i rrjeteve sociale ndaj të rinjëve’ tha se probleme tek fëmijët ndodhin për një kohë të gjatë, ndërsa target grup ishin fëmijët e moshave 14 deri 19 vjeç.

Prof.dr. Vladimir Kitanovski gjatë elaborimit të projektit: “Parandalimi i tendencave të rrezikshme virale të të rinjve” tha se në këtë projekt për të marrë përgjigje sa më të sakta dhe zgjidhje sa më të qëndrueshme për problemet e të rinjve me rrjetet sociale, pjesëmarrëse janë vende në zhvillim e sipër, jashtë BE-së, siç është vendi ynë, pastaj vende nga rajoni dhe nga Bashkimi Evropian, me qëllim që të studjohet se si reagojnë rrjetet tek shoqëri të ndryshme dhe me shkallë të ndryshme zhvillimi.

Zonja Fatmire Ajdari përfaqësuese nga Ambasada e parë e fëmijëve ‘Megjashi’ në Shkup tha se përvojat tregojnë se bulizmi fillon që në moshën 6 vjeçare, ndërsa vetëm sofistikohen më tej deri në moshën 14 vjeçare, duke shtuar se ky sofistikim morri hov sidomos gjatë pandemisë.Ligjëratë me temë: “Përvojat e nxënësve të Gjimnazit ‘Zef Lush Marku’ nga trendet virale të rrjeteve sociale zhvilloi profesori i këtij gjimnazi Naser Miftari i cili tha se problemet e të rinjve me rrjetet sociale u shfaqën sidomos gjatë mësimit online të cilin e imponoi pandemia Covid19-të.

Paneli kishte për qëllim të identifikon menyrat se si të mbrohen të rinjtë nga rreziqet e rrjeteve sociale me synim që gjatë zbatimit të projektit trevjeçar të miratuar nga programi arsimor Erasmus+ i BE-së, të gjenden mudule që mund të përdoren për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, këtë projekt e zbaton me institucione partnere siç janë Asociacioni ’Follow me’ nga Bullgaria, Akademia për zhvillim politik nga Austria dhe Asociacioni Forumi urban nga Polonia.

By