Tetovë, 11 Prill 2023 Studentët e vitit të katërt të Departamentit për Punë dhe Politikë Sociale, së bashku me profesoreshën Dr. Nita B. Luma, në sajë të muajit të ndërgjegjësimit të personave me autizëm, vizituan Qendrën e Autizmit “Fluturo për jetën” në Tetovë.
Vizita u realizua në tre grupe, të cilët në rotacion zhvilluan tre aktivitete veçmas në hapësira të ndara. Në njërën sallë studentët përcjollën pamje filmike referuar ndërgjegjësimit mbi autizmin nga figura të shquar, si dhe aktivitete e konferenca të zhvilluara nga qendra e autizmit në fjalë; në tjetrën sallë studentët ndiqnin përmes dhomës me pasqyrë me dy drejtime se si udhëhiqet një terapi drejtpërdrejt; ndërsa tek salla e tretë studentët u njohtuan me fëmijët e qendrës dhe së bashku me ndihmën e studentëve ata lanë gjurmë me bojë të duarve të tyre në pëlhurën të cilën qendra na e dhuroi për ta shënuar këtë aktivitet.
Në fund gjithë grupi i studentëve u bashkua tek salla e terapive grupore për t’u dhënë dhurata fëmijeve, që ata i kishin përgatitur vetë me shumë entuziazëm.