𝐒𝐡𝐤𝐮𝐩, 𝟏𝟏.𝟎𝟒.𝟐𝟎𝟐𝟑 Rektori i Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup Prof.dr. Izet Zeqiri sot vizitoi dhe nënshkroi memorandum bashkëpunimi me drejtorët e tre shkollave të mesme të kryeqytetit, edhe atë me drejtorin e gjimnazit ‘Zef Lush Marku’ Arben Memedi, me drejtorin e shkollës së mesme ekonomike-juridike ‘Arseni Jovkov’ Nazmi Ramani
dhe drejtorin e shkollën e mesme ‘Cvetan Dimov’ Sakip Axhami.
Me këto marrëveshje nënshkruesit u dakorduan që ato të jenë kornizë në bazë të së cilës do të realizohet bashkëpunimi në mes institucioneve nënshkruese.
Në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit do të përfshihet shkëmbimi i përvojave dhe njohurive shkencore dhe profesionale, përgatitja e programeve të përbashkëta për aftësimin shkencoro-profesional dhe avansimit profesional të kuadrove, përgatitja e projekteve të përbashkëta, analizave dhe vlerësimeve në fushat e lartëpërmendura, bashkëpunimi i ndërsjellë dhe mbështetje në organizimin dhe realizimin e konferencave profesionale dhe shkencore, seminareve, tryezave të rrumbullakta, punëtorive, shkollave verore, bashkëpunimi në fushën e realizimit të programeve edukativo-arsimore në sferën e punës praktike dhe klinike dhe forma tjera të bashkëpunimit të cilat do të i vendosin institucionet mes tyre.
Rektori Zeqiri në vizitat në shkollat e mesme ishte i shoqëruar nga prorektori për Arsim dhe çështje studentore Prof.Inor.dr. Fati iseni, prorektori për Marrëdhënie ndërkombëtare Prof.dr. Rizvan Sulejmani, prorektori për Shkencë Prof.dr. Bekim Fetaji dhe prorektori për Financa dhe investime strategjike Doc.dr. Bujamin Bela.
UNT me këto marrëveshje zyrtarizon bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që ka me shkollat e mesme të qytetit të Shkupit, me të cilat në praktikë zbaton shkëmbimin e përvojave dhe stafit, ndërsa maturantët gjatë vitit të fundit shkollor, në bazë të interesimit të tyre u mundësohet vizitë në ambientet e UNT-së dhe mbledhje të informatave për programet studimore që u interesojnë për vazhdim të karrierës akademike.
Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup gjatë vitit akademik 2023/2024 starton me tre fakultete të reja, dhe në ofertën e saj ka mbi 40 programe studimore, atraktive për maturantët e vendit. Gjithashtu UNT më 1 tetor starton studimet në objektet e reja të saj, në ish kazermën Ilinden, ku punimet po zhvillohen me intenziten të shpejtë.