Dibër, 28.04.2023 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup me fillimin e fushatës promovuese sot zbarkoi pranë maturantëve Dibran në gjimnazin “28 Nëntori” me delegacionin e udhëhequr nga pedagogët dhe stafi profesional i UNT-së dhe atë: Prorektorët, Prof.dr. Bujamin Bela, Prof.dr. Bekim Fetaji, sekretarja e përgjithshme e UNT-së, Mukades Hajdari, dekanët Prof.dr. Neritan Turkeshi, Prof.dr. Diturije Ismaili, si dhe pedagogeja Doc.dr. Yllka Cemena së bashku me zëdhënësin e UNT-së, Naim Vrenezi dhe Driton Zendelin nga shërbimi administrativ.
Delegacioni i UNT-së u mirëprit nga drejtori i gjimnazit, z. Ramadan Imeri, i cili mundësoi që studentët potencial të njoftohen me platformën akademike që ofron universitetit publik në gjuhën shqipe në Shkup në drejtimet më atraktive për tregun e punës.
Maturantët u njoftuan për së afërmi për përparësitë që do të kenë në kampusin e ri universitar të UNT-së, që përpos objekteve të rinovuara, do të kenë edhe tre fakultete të reja, atë të ekonomisë, juridikut dhe shkencave humane, që së bashku me pesë fakultetet aktuale atë të ndërtimtarisë dhe arkitekturës, informatikës, shkencave sociale, shkencave teknike dhe shkencat teknologjike, gjithësej do të ketë 8 fakultete.
Maturantët nga shkolla e mesme në Dibër shfaqën interes për degët studimore dhe zhvilluan diskutim me ekipin e profesorëve. Maturantëve iu shpërndanë broshura me informacione lidhur me veprimtarinë e universitetit tonë.