Korçë, 28.02.2024 – Studentët e Fakultetit të Sportit dhe Shkencave Sportive pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, kthehen me tre medalje nga Turneu Sportiv Universitar mbarëkombëtar që u zhvillua gjatë tre ditëve të kaluara nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar, në qytetin e Korçës.
Ekipet e UNT-së arritën vendin e tretë në minifudboll për meshkuj, vendin e dytë në volejboll për femra dhe vendin e tretë në basketboll për meshkuj.
Në Turneun Sportiv Universitar mbarëkombëtar që u zhvillua në Korçë nga data 26 deri 28 shkurt 2024 morën pjesë studentë nga Universiteti ‘F.S Noli’ nga Korça, Universiteti ‘Hasan Prishtina’ nga Prishtina, Universiteti ‘Nënë Tereza’ nga Shkupi,Akademia e Forcave të armatosura nga Tirana, Universiteti ‘Aleksandër Xhuvani’ nga Elbasani, Universiteti ‘Ukshin Hoti’ nga Prizreni dhe Kolegji Universitar i Biznesit nga Tirana.