Shkup, Prill 2025 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, në kuadër të fushatës së saj promovuese në shkollat e mesme të vendit, realizoi një takim informues me maturantët e Shkollës së Mesme të Qytetit të Shkupit “Cvetan Dimov”. Gjatë takimit, u bashkëbisedua me maturantët për ndërtimin e karrierës së tyre akademike, kushtet e studimit dhe programet që ofron Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.

Maturantët e Sh.M.Q.Sh “Cvetan Dimov” shfaqën interes të veçantë për drejtimet studimore të tetë njësive akademike të UNT-së, duke zhvilluar diskutime interaktive me ekipin promovues të profesorëve.

Ekipi promovues i UNT-së, i përbërë nga profesorët Bujamin Bela, Bukurie Imeri Jusufi, Neritan Turkeshi, Majlinda Axhiu, Diturije Ismaili, Argëtim Saliu, Elisabeta Bajrami Ollogu, Arijan Ganiji dhe Genta Spahiu Mirzo, së bashku me përfaqësuesit e Kuvendit Studentor Universitar, Omer Hebib dhe Besar Sejdiu, prezantuan para maturantëve programet studimore, projektet aktuale kërkimore-shkencore, kushtet e studimit, si dhe perspektivat për zhvillimin profesional pas diplomimit.

Ata gjithashtu theksuan rëndësinë e infrastrukturës të kampusit të UNT-së dhe mundësitë e shumta për angazhimin e studentëve në aktivitete akademike, praktika profesionale dhe projekte ndërkombëtare.

Në këtë aktivitet, maturantëve iu shpërndanë broshura informuese që prezantojnë programet akademike, kushtet e studimit, mundësitë për angazhim praktik dhe laboratorët modernë të pajisur në kampusin e UNT-së.

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup shpreh mirënjohje dhe falënderim për menaxhmentin e Sh.M.Q.Sh “Cvetan Dimov” për mikpritjen, bashkëpunimin dhe kontributin në orientimin akademik të gjeneratave të reja.

By