Shkup, Maj 2025 – Studentët e Fakultetit Juridik nga programi studimor “Kriminalistikë” dhe studentët e Fakultetit Ekonomik programi studimor “Doganë dhe shpedicion dhe sigurime” të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, nën udhëheqjen e profesorit, Prof.dr. Naser Etemi, realizuan një vizitë studimore në njësinë për trajnimin e qenëve policorë, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Qëllimi i vizitës ishte përforcimi i njohurive teorike përmes përvojës praktike, duke ofruar mundësi që studentët të njihen nga afër me procedurat profesionale për trajnimin e qenëve që shërbejnë në institucione të sigurisë dhe të doganës.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Njësisë realizuan një demonstrim praktik të aftësive të qenëve në identifikimin e substancave narkotike, mjeteve shpërthyese, parave të padeklaruara dhe elementeve të tjera të ndaluara. Kjo ishte një përvojë unike për studentët, e cila ndihmon në ndërtimin e një kuptimi më të plotë për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet teknologjisë, trajnimit dhe instinktit të qenëve në hetimin dhe parandalimin e veprave penale.
UNT falënderon njësinë për trajnimin e qenëve për mikpritjen dhe përgatitjen profesionale të kësaj vizite, e cila pasuron në mënyrë të qenësishme përgatitjen akademike dhe praktike të studentëve tanë.