Shkup, Maj 2025 – Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, në kuadër të lëndës “E drejta familjare”, të shoqëruar nga profesoresha Doc.dr. Rudina Kaja, realizuan një vizitë studimore në Institucionin Publik, Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale të qytetit të Shkupit.
Gjatë vizitës, studentët u pritën ngrohtësisht nga drejtori i institucionit, z. Hamza Ameti dhe stafi profesional, të cilët prezantuan nga afër funksionimin e institucionit dhe rolin e tij në mbrojtjen sociale dhe juridike të qytetarëve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua punës së Departamentit të Martesës dhe Familjes, ku studentët u informuan për procedurat ligjore të pajtimit, kujdestarisë, vendimeve gjyqësore për fëmijët pas divorcit, si dhe për trajtimin e rasteve të kujdestarisë së përkohshme apo jashtëmartesore. Po ashtu, ata u njohën me angazhimin e Departamentit të Këshillimit dhe atij për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, të cilat ofrojnë ndihmë profesionale për individë dhe familje në krizë.
Kjo vizitë përfaqëson një përvojë të vlefshme për studentët, duke i ndihmuar ata të kuptojnë aplikimin praktik të koncepteve juridike dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mirëqenien sociale.
UNT falënderon stafin e Qendrës për përkushtimin dhe angazhimin në këtë aktivitet edukativ, dhe mbetet i përkushtuar në përgatitjen e kuadrove të ardhshme juridike përmes përvojave praktike dhe mësimdhënies cilësore.