Shkup, 09 Maj 2025 – Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe kulturore, Fakulteti Juridik i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup shënoi sot Ditën e Evropës, përmes një ngjarjeje të veçantë promovuese kushtuar librit të autorit Prof.dr. Enver Abdullahi me titull: “Politika e Jashtme e Bashkimit Evropian ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Ky botim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe integrimeve evropiane, duke trajtuar në mënyrë analitike dhe shkencore qasjen e BE-së ndaj vendit tonë, si dhe sfidat dhe perspektivat e procesit të anëtarësimit.
Recensentët, Prof.Inor.dr. Avni Avdiu dhe Prof.Inor.dr. Agron Kurtishi, vlerësuan lart punën kërkimore të autorit, thellësinë teorike dhe analizën praktike që libri ofron. Ata theksuan se ky libër shërben si burim i vlefshëm për studentët, studiuesit dhe profesionistët e diplomacisë dhe shkencave politike, duke pasqyruar qartë dinamikën e politikave të jashtme të BE-së dhe ndikimin e tyre në rajon.
Evenimenti u moderua nga Prof.Inor.dr. Aleksander Petkovski, i cili përmes një qasjeje profesionale e bëri promovimin të rrjedhshëm dhe të pasur me diskutime konstruktive mbi temën.
Prof.dr. Enver Abdullahi, në fjalën e tij, shprehu falënderimet për institucionin, recensentët dhe të gjithë të pranishmit, duke ndarë me ta motivimin dhe sfidat gjatë përgatitjes së librit. Ai potencoi rëndësinë që ka kuptimi i drejtë i politikës së jashtme evropiane për krijimin e një strategjie kombëtare më efikase dhe të qëndrueshme drejt integrimeve.
Promovimi u përmbyll me një sesion diskutimi, ku studentët dhe të ftuarit patën mundësinë të parashtrojnë pyetje dhe të shkëmbejnë ide mbi temën e trajtuar.



