Shkup, 20.05.2025 – Fakulteti i Shkencave Informatike në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup organizoi një ligjëratë të hapur me ligjëruesin e njohur ndërkombëtar, Prof. Dr. Suplab Kanti Podder, i cili mbajti një prezantim me temën: “Strategjitë për Start-up në Rajonin e Ballkanit”.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të iniciativave për forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe zhvillimit të inovacionit në rajon, duke i ofruar studentëve dhe stafit akademik njohuri të drejtpërdrejta nga ekspertë të fushës së teknologjisë dhe sipërmarrjes.

Ligjërata u përshëndet nga rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i cili në fjalën e tij falënderoi profesorin Podder për ndarjen e përvojës së tij të pasur me studentët dhe stafin universitar. Ai theksoi rëndësinë e ndërkombëtarizimit dhe shkëmbimit të dijes për zhvillimin profesional të studentëve dhe fuqizimin e institucioneve akademike në rajon.

Në shenjë mirënjohjeje, rektori Fetaji ndau një certifikatë për kontributin e dhënë në avancimin e dijes dhe nxitjen e frymës sipërmarrëse ndër të rinjtë në Maqedoninë e Veriut për Prof. Dr. Suplab Kanti Podder.

Ky event u menaxhua nga dekaneja e Fakultetit të Shkencave Informatike, Doc. Dr. Majlinda Axhiu, e cila falënderoi pjesëmarrësit dhe vuri në dukje rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimeve të tilla që i kontribuojnë fuqishëm formimit profesional të studentëve dhe zgjerimit të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.

UNT mbetet i përkushtuar në ofrimin e mundësive të reja për studentët, përmes ligjëratave, trajnimeve dhe bashkëpunimeve me ekspertë nga e gjithë bota.

By