Shkup, 28.10.2025 – Sot, në ambientet e senatit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji priti në një takim pune drejtorët e shkollave të mesme nga qytete të ndryshme të vendit, në kuadër të aktivitetit “Kafja e mëngjesit me rektorin”.

Takimi kishte për qëllim vlerësimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet arsimit të mesëm dhe atij universitar, si dhe forcimin e partneriteteve për përgatitjen e kuadrove të rinj profesional.

Rektori Fetaji, i shoqëruar nga prorektorët Prof. Inord. Dr. Fati Iseni, Prof. Inord. Dr. Diturije Ismaili dhe Mr. Alajdin Memedi, theksoi se falë bashkëpunimit të frytshëm me shkollat e mesme, UNT për herë të parë ka tejkaluar numrin prej 1000 studentësh të rinj të regjistruar, duke arritur në 1044 studentë për vitin akademik 2025/2026.

Sipas tij, ky është një tregues i rëndësishëm i besimit që maturantët kanë ndaj UNT-së dhe i lidhjes së qëndrueshme ndërmjet dy niveleve të arsimit.

Në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar në orientimin e të rinjve drejt studimeve universitare dhe në përgatitjen e brezave të ardhshëm profesionistë, rektori Fetaji ndau certifikata mirënjohjeje për drejtorët e pranishëm.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve arsimore si një hallkë kyçe në ndërtimin e një sistemi arsimor cilësor dhe të qëndrueshëm, që i përgjigjet kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimit shoqëror.

Në përmbyllje të takimit, rektori UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji shprehu gatishmërinë e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup për ta thelluar partneritetin me shkollat e mesme përmes projekteve të përbashkëta arsimore dhe profesionale, duke ftuar drejtuesit shkollorë të jenë pjesë aktive në programin HORIZON, i cili ka nisur së fundmi të zbatohet në kuadër të UNT-së.

By