Ankara/Shkup, Nëntor 2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti i Shkencave Sociale të Ankarasë – Ankara Sosyal Bilimler Üniversitesi (ASBÜ) kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit akademik.
Marrëveshja për zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet dy universiteteve u nënshkrua nga Prof. Dr. Bekim Fetaji nga UNT dhe Prof. Dr. Yasin Söyler nga ASBÜ.
Memorandumi synon të rrisë ndërveprimin dhe bashkëpunimin mes studentëve të nivelit universitar dhe pasuniversitar, studiuesve, si dhe stafit akademik e administrativ në fushën e arsimit, kërkimit dhe veprimtarive mësimore.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi parashikohen:
-Mobiliteti i studentëve dhe stafit: Mbështetja e mobilitetit afatshkurtër dhe afatgjatë të studentëve, stafit akademik dhe administrativ.
-Njohja akademike: Njohja reciproke e arritjeve akademike të realizuara jashtë vendit.
Shkëmbimi i burimeve: Shkëmbimi i njohurive shkencore, publikimeve dhe materialeve mësimore.
-Ngjarje shkencore: Organizimi i përbashkët i konferencave, seminareve, simpoziumeve, punëtorive dhe paneleve akademike me pjesëmarrjen e ekspertëve nga të dy institucionet.
-Projekte të përbashkëta: Zhvillimi i kërkimeve shkencore, përgatitja dhe aplikimi i propozimeve kërkimore, si dhe pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare (përfshirë programet Erasmus+ dhe Horizon Europe).
-Marrëdhënie institucionale: Forcimi i bashkëpunimit përmes vizitave reciproke, zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare akademike dhe krijimit të mundësive të reja për praktika profesionale për studentët.
Ky memorandum përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit, shkëmbimit të dijes dhe ndërtimit të urave të reja të bashkëpunimit akademik mes dy institucioneve.
