Shkup, 06.11.2026 – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti Kırklareli nga Turqia kanë zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre ndërinstitucional përmes nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit. Dokumenti zyrtar u nënshkrua nga rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe rektorja e Universitetit Kırklareli, Prof. Dr. Rengin Ak.

Ky memorandum synon vendosjen e një partneriteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë midis dy institucioneve të arsimit të lartë, me qëllim zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, kërkimore dhe akademike. Bashkëpunimi do të përfshijë shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, organizimin e konferencave shkencore, simpoziumeve dhe botimeve të përbashkëta, si dhe zbatimin e projekteve kërkimore me interes të ndërsjellë në nivelin e studimeve baçelor, master dhe doktoraturë.

Në këtë takim zyrtar, rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji shoqërohej nga delegacioni i UNT-së i përbërë nga prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Sani Demiri, prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Diturije Ismaili, si dhe profesoresha Prof. Inor. Dr. Elisabeta Bajrami Ollogu.

Ndërkaq, rektorja e Universitetit Kırklareli, Prof. Dr. Rengin Ak, shoqërohej nga koordinatorja për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Berna Ak Bingül.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dy universiteteve shprehën përkushtimin e tyre të plotë për jetësimin e objektivave të këtij memorandumi, duke e vlerësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të diplomacisë akademike dhe zgjerimit të rrjetit të bashkëpunimit ndërkombëtar në rajon e më gjerë.

By