Qendra e Botimeve Akademike dhe Sistemi Bibliotekar i Informacionit pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, në mesin e katër titujve shkencorë dhe dy revistave promovoi edhe librin universitar “Sociolinguistika” të autorit prof. dr. Mustafa Ibrahimi, ligjërues i kësaj lënde në këtë universitet.

Libri është botuar nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe është tekst universitar për studentët e tre cikleve, të cilët e shfrytëzojnë si lëndë me zgjedhje në nivel universiteti.

Në këtë veprimtari për librin “Sociolinguistika” më gjerësisht foli recensuesi prof. dr. Begzad Baliu, duke theksuar se vepra sipas tematikës që trajton, është e ndarë në dymbëdhjetë krerë, edhe pikërisht: I. Hyrje në sociolinguistikë; II. Gjuha –Kultura – Identiteti – Globalizmi; III. Multikulturalizmi dhe multilingualizmi, IV. Ekologjia gjuhësore; V. Nacionalizmi gjuhësor; VI. Politika dhe planifikimi i gjuhës; VII. Shtresimi i gjuhëve; VIII. Komunikimi gju­hë­sor; IX. Gjuhët në kontakt; X. Etnografia e komunikimit; XI. Arbëreshët e Italisë; XII. Interaksionet shoqërore-gjuhësore. 

Në secilën tematikë jepen të dhëna shkencore me vlerë, mendime e vlerësime vetjake, që pasurojnë mendimin shkencor shqiptar për njësitë, kategoritë e dukuritë e studiuara. Në fund z. Baliu theksoi se ky libër sjell prurje të reja, duke zgjeruar edhe më tej njohuritë në fushën e sociolinguistikës, që do t’u shërbejë si burim referimi stu­diuesve të sociolinguistikës, si dhe studentëve e pasuniversitarëve.

“Sociolinguistika” e prof. dr. Mustafa Ibrahimit më 13 mars u promovua edhe në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, në kuadër të Konferencës shkencore “Punëtorë të shquar të albanologjisë”

By