Shkup, 08.11.2019 Me 14 punime shkencore dhe me prezencë të Ministrit të Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili sot Universiteti ‘Nënë Tereza’ në Shkup zhvilloi Seminarin e dytë shkencor ndërkombëtarë mbi Interkulturalizmin.
Nikoqiri i seminarit, Rektori i UNT-së Prof. Dr. Aziz Pollozhani në hapjen e seminarit, ku pjesëmarrës ishin studjues dhe albanolog nga vendi, Shqipëria dhe Kosova tha që për herë të dytë UNT zhvillon një tribune të këtillë shkencore, duke promovuar edhe revistën shkencore ‘INTERKULTURA’, e cila për të dytin vit me radhë sponzorizohet nga Ministria e Kulturës.
Pollozhani gjatë seminarit promovoi edhe projektin “Kthimi i ngjalave”, siç tha ai, me titull të frymëzuar nga libri i Luan Starovës “Emigrimi i Ngjalave”, në të cilin foli për migrimin dhe pasojat e tij, duke shtuar se globalizimi dhe proceset integruese janë veçori dhe pjesë e pashmangshme e rrjedhave të sotshme në çdo kënd të botës së civilizuar, dhe se çdo komb, vitalitetin e vet do të duhet ta verifikojë mbi bazën e përshtatjes dhe përfitimeve që do të mund të realizojë në këtë kontekt gjithëpërfshirës. Ky dimension i ri i raporteve globale, tha Pollozhani krijon kushte që disa fenomene sociale nga e kaluara, siç është migrimi, apo kurbeti me elemente dezintegruese për kombet e vogla, tanimë të shfaqet në një dimension të ri, të bëhet aseti kombëtar i lehtësimit të rrugës së integrimeve dhe të përshtasë më lehtë kombin në rrjedhat globalizuese. Pollozhani citoi një thënie nga libri i akademik Luan Starovës, që përshkruan më së mirë aktivitetet që duhet ndërmarrë në këtë situatë ‘Sipas babait, familja mund të largohej prej rrethit të mallkuar të mërgimit vetëm nëse ndiqte me besnikëri emigrimin e ngjalave.”
Ministri i Kulturës Hysni Ismaili tha se ndjehet i privilegjuar që merr pjesë në këtë debat akademik, uroi UNT për zhvillimin e shpejtë dhe arritjet që ka bërë për vetëm 3 vite funksionim, ndërsa premtoi se përpos 8 projekteve që tani finanson, Ministria e Kulturës do të vazhdon të përkrahë universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup.
Folësi kryesorë në seminar ishte Akademik Luan Starova, i cili prezantoi punimin shkencorë ‘Tradita kulturore dhe aspektet interkulturore e rilindasve tanë: Sami Frashëri, Faik Konica, Jeronim de Rada, dhe Vaso Pasha’. Profesor Zeqirja Neziri foli për Pjetër Bogdanin si afirmues i teozofisë baroke. Profesori Vebi Bexheti, prezantoi tezën mbi ‘Përmasat universale në poezinë e Migjenit’
Profesor Avzi Mustafa foli për shkrimitarin maqedonas Grigor Përliçev, dhe kontributi i tij interkulturor, ndërsa koordinatori I Konferencës Mustafa Ibrahimi prezantoi tezën ‘’Elementet etnografike dhe arti shqiptar në muret e kishave të Prilepit dhe Ballkanit nga piktori mesjetar Onufri.
Gjatë panelit të dytë prezantuan Nebi Dervishi me tezën ‘Kontributi i Josif Bagerit për gjuhën dhe kulturën shqipe në Rekën e Epërme, profesori Sunaj Raimi me shkrimin ‘Jan Kukuzeli – kompozitori shqiptar mesjetar me dimensione botërore, profesor Asllan Hamiti me ‘Rëndësine e «Fjalorit tri gjuhësh» të Gjorgji Puleskit, Mixhait Pollozhani foli për traditën tone interkulturore në artet pamore, dhe professor Rizvan Sulejmani me analizën ‘Sa kanë ndikuar dallimet fetare dhe kulturore në formimin e kombit “modular” shqiptar?
Gjatë seminarit, u promovua libri i Luan Starovës ‘Emigrimi i ngjalave’ me promotor profesorin Arian Leka, nga Akadamia e Studimeve Albanalogjike në Tiranë, me punimin “Multikultura në shoqëritë totalitare – vështrim antropologjik mbi romanin Emigrimi i ngjalave të shkrimtarit Luan Starova”, ndërsa rektori i UNT-së Prof.Dr. Aziz Pollozhani promovoi Projektin e Universitetit Nënë Tereza ‘Kthimi i ngjalave’.