Me 3 nëntorë në hapësirat e UNT-së në Shkup i zhvilloi punimet konferenca e dytë ndërkombëtare me temë “Drejt zhvillimit të qëndrueshëm”. Në hapjen e kësaj konference morën pjesë ministra, hulumtues shkencorë, profesorë e studentë nga vendi dhe jashtë. Në fjalimin e tij përshëndetës ministri i arsimit dhe shkencës në RM, z. Arbër Ademi në mes tjerash theksoi: “Më vjen jashtëzakonisht mirë që në një kohë relativisht të shkurtër, nga një universitet relativisht i ri të kemi zhvillime kaq pozitive dhe produktive sa i takon angazhimit për të qenë pjesë e rrjedhave të mendimit akademik e shkencor. Më të rëndësishëm e bën këtë fakt trajtimi i tematikave kuptimplota dhe me interes të gjërë, siç janë çështjet të cilat synojnë orientimin e shoqërive “Drejt zhvillimeve të qëndrueshme”.”
Ndërsa ministri i ekonomisë, z. Kreshnik Bekteshi potencoi: “Vendet në zhvillim kanë nevojë për resurse plotësuese për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe kjo mund të arrihet duke investuar për një jetë më të mirë të qytetarëve gjegjësisht nëpërmjet një sistemi më të mirë të mbrojtjes sociale, arsimim, shëndetësi dhe shërbime publike.”
Kjo konferencë u organizua në drejtim të avancimit të ideve për mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm në rajon në vijë të definimit adekuat të komisarit Brundland që thekson se “Zhvillimi i qëndrueshëm është zhvillim që adreson nevojat e të tashmes pa kompromentuar aftësinë e gjeneratat e ardhshme që të mund të adresojnë nevojat e tyre”. Temat që u shtjelluan në konferencë ishin të organizuara në tre fusha me rëndësi: ekonomia, ekologjia dhe planifikimi hapësinor; edukimi dhe shkenca, dhe teknologjitë për informim dhe komunikim.