Në vitin 2016, u hap së pari viti i parë akademik në Universitetin ,,Nënë Tereza”, këtu në kryeqendrën e Republikës. Që në fillim, e kemi ditur për sfidat që na prisnin. Kur kthehem në ditët e para ndjehem shumë krenar, sidomos tani që qëndroj këtu, pikërisht para Jush, krah për krah me kolegët e mi. Jo vetëm historiku i arsimit në gjuhën shqipe, por edhe konteksti i ri i zhvillimit institucional arsimor si edhe specifikat e misionit që morëm mbi vete me programet tejet sfiduese, na bënin të vetëdijshëm që nuk do të jetë i lehtë rrugëtimi jonë..
Por përkundër vështirësive si të pritshme si edhe ato të pa pritshme, ne, së bashku ia dolëm.
Stafi akademik, administrata dhe sidomos studentët u përballën me të gjitha këto sfida, i tejkaluan ato dhe ja sot jemi këtu bashkë për të uruar absolventët e parë të ciklit të parë trevjeçar. Kjo ditë do të mbetet e shënuar në kujtesën e kësaj gjenerate dhe do të shënohet si Ditë historike në historikun e arsimit në gjuhën shqipe në vendin tonë si dhe ditë e posaçme historike për Universitetin tonë.
Por gjërat e tilla, padyshim që nuk mund të behën vetëm, as edhe vetëm nga një grup  i caktuar njerëzish, sado që të jenë ato entuziaste.
Një rrugëtim i tillë i suksesshëm u arrit në bazë të angazhimit të pamohueshëm të stafit pedagogjik dhe atij administrativ të universitetit, si dhe në bazë të përkushtimit dhe mirëkuptimit të studentëve.
Por e gjithë kjo do mbetej një ide dhe dëshirë e këndshme nëse e njëjta nuk do realizohej në mënyrë institucionale, duke filluar që nga vendimi i Kuvendit për themelimin e universitetit në 24 Dhjetor të viti 2015, mbështetja e qeverisë për konsolidimin e tij, përkujdesja e përditshme nga ministria arsimit dhe mbështetja vetëmohuese e komunitetit dhe në veçanti të Komunës së Çairit dhe të udhëheqjes të mëparshme dhe të tashme të saj.
Së këndejmi më lejoni që të  shpreh mirënjohjen time personale dhe mirënjohjen e të gjithë të punësuarve për mysafiret: z. Talat Xhaferi, z. Bujar Osmani, Ministrit të Arsimit z. Arbër Ademi dhe kryetarit të Komunës së Çairit  z. Visar Ganiu dhe shumë miqve e dashamirëve të tjerë.
Jam i sigurt që kjo mirënjohje gufon edhe nga zemrat dhe mendjet edhe të studentëve tanë dhe sidomos të atyre, për të cilët jemi mbledhur sot këtu.
Të  nderuar absolventë,
Ju e dini që Web Faqja e parë në botë është bërë në vitin 1991 në një laborator të CERN-it.  Ajo ishte e thjeshtë, e qartë dhe e drejtpërdrejtë. Në  një font të thjeshtë, disa informacione të shkurtra paraqiten në dhjetëra rreshta me qindra fjalë. Kjo web faqe e  thjeshtë dhe e qartë, është  linku, lidhja me fillimet e ndryshimit të botës sonë dhe jetës sonë. Njeriu, befasohet  plotësisht kur e sheh atë web faqe dhe web faqen e universitetit tonë dhe të ngjashmet.
Progresi që kemi bërë ne si njerëz, është plotësisht i dukshëm, i prekshëm edhe  në atë faqe. Teknologjia ngadalë, në një mënyrë apo tjetër, e definon botën tonë.
Prandaj, para ca viteve, kur vërejtëm mungesën e studimeve teknike në gjuhën shqipe, e dinim qëllimin, vizionin tonë;              t’i krijojmë dhe t’i zhvillojmë studimet teknike në gjuhën shqipe, me një universitet të ri publik.
Si që përmenda edhe më lart, kjo na vendosi para një detyre sa të vështirë po ashtu edhe interesante – thjesht sfiduese.
Ne jemi të vetëdijshëm se po jetojmë në një epokë të zhvillimit teknologjik, digjitalizimit dhe komunikimit masiv, si dhe në një botë ku komunikimi dhe bashkëpunimi me institucione të  ndryshme rajonale dhe globale, si ato  akademike dhe studentore, me rininë tonë, janë thelbësore. Prandaj, së bashku  ndërmorëm sfidën e zhvillimit të rinisë sonë dhe komunitetit tonë, për të përmirësuar shoqërinë dhe vetveten.
Gjenerata jonë e parë absolventë është dëshmi e kësaj. Personalisht jam krenar, dhe të gjithë jemi krenarë së bashku për secilin prej jush.

Ju  jeni shtylla e përparimit tonë.

Shpresojmë se do ta mbani këtë mision me vete përpara dhe do të mendoni për te në çdo moment. Jemi të sigurt se do të jeni shembull për gjeneratat e ardhshme dhe kolegët tuaj. Vazhdoni të besoni në vete dhe në vendimet tuaja!
Në proceset vijuese të globalizimit dhe integrimeve ju mund të ndjeheni mirë vetëm nëse ,,jeni vetvetja”, jeni vetja juaj si nga aspekti kulturor, rajonal, kombëtar, por gjithmonë të hapur për vlerat dhe qëndrimet e të tjerëve, për të punuar bashkë për një të ardhme më të mirë.
Të tillë do të jeni nëse pajiseni me dije dhe kompetenca që forcojnë themelin e personalitetit tuaj sepse ju siguroj se vetëm një i ri që i siguron vetes një bazament të tillë është i gatshëm që me sukses të kalojë sfidat dhe të përmbush kërkesat e gjeneratave tuaja.
Dhe nga ana tjetër vetëm shkolla, universiteti, pedagogu, që ka arrit të krijojë te ju një bazament të tillë, mund të thotë që ia ka arrit qëllimit që e ka përmbush atë që njihet si ,,raison d’etre” – arsyeja pse ekzistojmë.
Të nderuar mysafir,
Për të qenë në nivelin e kësaj aksiome, bazuar edhe mbi deklaratën tonë mbi misionin dhe vizionin e UNT ku veç tjerash është shënuar se ,,do të prodhojmë kuadro në përputhje me nevojat e tregut të punës, ne sikurse e dini, filluam me 14 programe në pesë njësitë tona të universitetit, punuam bashke dhe tani i kemi 26 programe studimore në ciklin e parë, kemi filluar me ciklin e dytë në 12 programe rishtas të akredituara, po përgatitemi për rishikimin e programeve dhe re-akreditimin e tyre gjithmonë duke analizuar tregun e punës.
Kemi filluar akreditimin e Mastër programeve të përbashkëta me universitetet simotra jashtë vendit në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe njëherit të bëjmë përgatitjet e duhura për studime të doktoraturës.
Në këtë kontekst më lejoni që të përmend shtrirjen shumë të shpejtë dhe efikase në bashkëpunimin ndërkombëtar mbi bazë dypalëshe por edhe mbi bazë të Erasmus-plus programit të Bashkimit Evropian ku sivjet shfrytëzuam mundësinë për mobilitetin e studentëve dhe pedagogëve që mundësoi shtimin e kërkesave dhe mjeteve të lejuara për vitin e ardhshëm.
Njëherit, nisur nga nevojat e kurikulës dhe specifikave të shkencave teknike dhe sociale, kemi zgjeruar bazën e ,,miqve të UNT-ës”, ku lista e ndërmarrjeve, agjencive, institucioneve, po shtohet për çdo ditë, ku studentët tanë po realizojnë pjesën praktike.
Është e rëndësishme të theksohet që në kuadër të programeve të reja të akredituara dominojnë programet e studimeve profesionale trevjeçare duke bërë kështu një hap drejt një orientimi të ri në arsimin e lartë. Kjo jo vetëm që po tregohet si vendim i qëlluar, por studentët në këto programe na bëjnë krenar sepse përveç suksesit që po tregojnë, ato po duket se janë shumë të lumtur dhe entuziastë, gjë që e kemi parë nga aktiviteti i tyre muajin e kaluar ku çdo program shkëlqeu me aktivitetet inventive publike si ai i arkitekturës, dizajnit të tekstilit, teknologjisë ushqimore, shkencave sociale, studimeve evropiane, inxhinieret e ri, marrja e shpërblimeve të larta nga ana e informatikës.
Për të konfirmuar këtë disponim dhe punë të shkëlqyer, sot para jush keni absolventë tanë të veshur me rrobat e tyre ceremoniale të dizajnuara dhe të qepura nga studentët e Programit tonë të dizajnit të tekstilit, Ju lutem një falënderim për klasën e Docentes Nela, dhe një përshëndetje për ata  që organizuan simulimin e Samitit të 20 dhe 21 qershorit 2019, të Këshillit të Evropës, të udhëhequr nga Doc. Drenusha.
Ndonëse në fillimet e konsolidimit të një institucioni më me prioritet janë çështje bazike, ne të vetëdijshëm për faktin se pa hulumtim shkencor, pa shkencë nuk mund të mendohet një universitet.         Së këndejmi ne formuam grupet për ecur në këtë drejtim.
Tani ne mund të themi që ne po bëhemi qendër serioze të kërkimit shkencor duke e bërë këtë të dukshme me Konferenca ndërkombëtare për tema tejet sensitive dhe të rëndësishme  sikurse është ajo mbi Migrimet që sivjet u mbajt për herë të tretë dhe ajo për Zhvillim të qëndrueshëm që po ashtu do të mbahet për herë të tretë tetorin para nesh.
Publikimi i numrit të katërt të Revistës shkencore ndërkombëtare mbi zhvillimin e qëndrueshëm, vetëm i jep seriozitet dhe rëndësi gjithë këtij aktiviteti.
Të nderuar pjesëmarrës , të nderuar prind të studentëve tanë,
Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Shkencave të Informatikës, Fakulteti i Shkencave Teknike, Fakulteti i Shkencave Teknologjike dhe Fakulteti i Shkencave Sociale, janë shumë më shumë se fakultete.
Profesorët  dhe studentët atje nuk mësojnë vetëm si të programojnë, si të ndërtojnë, si të prodhojnë, por edhe për atë dhe si të jetojnë. Ato si e ceka më lart, do ti përkasin një konteksti të ri  atë të qytetarisë globale, pra të bëhen qytetarë të botës, sepse kjo do t’u lehtësojë për t’u gjendur në shoqëri globale dhe të bëhen pika mbështetëse e familjes për një jetë më të lehtë, më komode, më dinjitoze duke mos pasur nevojë që edhe ato të kenë vështirësitë për shkollimin e fëmijëve të tyre, sikurse i kishit juve për shkollimin e tyre.
Ju duhet të jeni krenarë me ta dhe me veten tuaj. Ashtu siç unë  ndjehem i sigurt dhe me plot besim sa herë që ju shoh, se një ditë bijtë  tuaj  do ta projektojnë ndërtesën më të lartë, do të zbulojnë një gjuhë të re për programim, dhe një ditë ata do të jenë ndryshimi që ne duam ta shohim këtu, por edhe në botë. Dhe gjithë kjo duke ju falënderuar edhe ju.
Të nderuar miq të universitetit,
Duke qenë institucion i ri arsimor e meqë folëm që në fillim edhe për sfida dhe vështirësi, do të ishim jorealiste nëse nuk do të përmendnim disa nga ato, me rëndësi të posaçme për ne.
E para – nisur nga nevoja bazike për realizimin e veprimtarisë tonë, bazuar edhe mbi përcaktimin e qartë të Programit Qeveritar për ndërtimin e Kompleksit universitar ,,Nënë Tereza”, në emër të gjithë të punësuarve dhe studentëve të UNT-ës, do të kërkoja që kjo çështje të merr të mbarën duke përshpejtuar të gjitha procedurat administrative për realizimin e Kompleksit universitar në hapësirat e planifikuara me vendimin e Qeverisë
E dyta- Modeli për financimin e arsimit të lartë, përveç që është i stërvjetruar, me efektin e vet ai po gjeneron pabarazi në mes të punësuarve (pedagog dhe administrat) ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë nga njëra anë , por njëherit ky model i financimit, që rrogat e të punësuarve i bën të varshme nga participimi i studentëve, është një nga shkaqet dhe arsyet kryesore që ndikon në cilësinë e ulët në arsimin e lartë. Zgjidhja e këtij problemi të trashëguar duhet të jetë një nga prioritetet themelore që nuk duron shtyrje.
Të nderuar, pa dashur ta zgjas për problemet në sferën e arsimit dhe në veçanti në sferën e arsimit të lartë, do doja të përcjell bindjen time se shqetësimet publike për rrjedhat e pavolitshme në arsim tani më po artikulohen prej kohësh. Po krijohet përshtypja se kemi një konsensus mes shumë faktorëve për sa i takon këtij vlerësimi që mund të përkthehet si  ambient i volitshëm për të ndërmarrë me guxim hapat e nevojshme për të përmirësuar situatën.
Realizimi i interesit publik duke kërkuar objektiva më të qarta dhe organizim më racional të programeve studimore nga ana e institucioneve të arsimit të lartë është kërkesë legjitime e qeverisë.
I nderuar z. Minsitër i arsimit , duke qënë të vetëdijshëm për rëndësinë e hapave në këtë drejtim, ne u sigurojmë mbështetjen tonë pa rezerve sepse e dimë që vetëm ashtu mund t’i shërbejmë më mirë të ardhmes tonë.
Ne besojmë se idetë e mira, projektet si ky i Universitetit “Nënë Tereza” mund të realizohen vetëm me punë e përkushtim, por edhe me bashkëpunim dhe harmonizim të detyrave ku secili do të jetë në nivelin e përgjegjësive që i takojnë.
E tillë qe edhe  rruga jone fillimtarë këto tre vitet e ekzistimit tonë, duke arritur në ditën e sotme sepse puna dhe përkushtimi jonë u bashkërendit me vullnetin, përkushtimin dhe kujdesin e  organeve përkatëse duke filluar nga Parlamenti , Qeveria dhe në veçanti Ministria e arsimit.
Ne jemi të bindur që kjo frymë  të vazhdojë, kjo punë dhe përkushtim do të fuqizohet edhe më shumë për të siguruar krijimin e kushteve optimale për studime moderne për fëmijët tanë sepse jemi të gjithë  të pajtimit se vetëm të pajisur me arsim cilësor, me dijet e kohës do të mund të sigurojmë një të ardhme më të mirë , një jetë më dinjitoze, një shoqëri më të drejtë .
Gjeneratës së parë të absolventëve të ciklit të parë, juve studentë të dashur, Ju përgëzoj për suksesin e arritur dhe ju dëshiroj që sa më parë të takohemi në përfundimin e studimeve duke u shpërndarë edhe diplomat tuaja.
Urime edhe pedagogëve për këtë arritje dhe suksese të mëtejme për të gjithë të punësuarit në universitetin ”Nënë Tereza”

By