I nderuari Ministër Ademi,
Shkëlqësia Juaj, Ambasador Jazbec
I nderuar Kryetar i Senatit Prof. BlerimSaiti,
Të nderuar prorektorë, dekanë, kolegë, pedagogë
Te dashur studentë,
MIRE SE KENI ARDHË NE UNIVERISTETIN ‘NËNË TEREZA’
Ne bashkë me kolegët tuaj këtë rrugëtim e nisëm para 4 viteve, kur e filluam me vetëm 220 studentë dhe me rreth 30 pedagogë dhe pa asnjë bashkëpunëtor administrate.
Sot, në këtë fillimvit të KATËRT ne jemi gjthsej rreth 2 000 studentë dhe mbi 100 pedagogë dhe rreth 50 punëtor administrativ.
E filluam me 14 programe studimore dhe sot ju keni zgjedh ndër 27 programet tona në ciklin e parë dhe ndër 11 të tjera në ciklin e dytë.
Në qershor sikuse e dini, ne patëm edhe promovimin e absolventëve të parë.
Sikurse deklaruam atëherë, ne ngadalë po bëjmë historinë. Ne po konsolidojmë një Universitet në kryeqendrën e vendit këtu në Shkup që ka qenë ëndërr dhe dëshirë e kahmotshme e shumë gjeneratave.
Nëse kjo ka qenë ëndërr e atyre gjeneratave për të pasur një universitet në gjuhën shqipe këtu në Shkup, une jam i sigurt që rinia e sotme, Ju të dashur student keni ëndrra tjera. Ëndrrat tuaja shkojnë përtej kësaj nevoje bazike për të patur atë që kanë të tjerët dhe jam i sigurt që nuk dallojnë nga ëndrrat e moshatarëve tuaj, jo vetëm në vend por edhe të atyre në të gjithë vendet e botës dhe sidomos të atyre evropiane.
Ato lidhen ligjshëm me dëshirën për të jetuar më mirë, duke tejkaluar vështirësitë që i trashëguam. Ato lidhen me vizionion e secilit prej jush për të qënë EUROPIANË, me standarde, me vlera, me mirëqenie. Dhe prandaj ne jemi këtu, që bashkë me ju, duke punuar e mësuar, këtë ëndërr ta bëjmë realitet.Por për të realizuar këtë qëllim ne të gjithë duhet që të përkushtohemi, të punojmë më shumë e të mësojmë më shumë. Dhe unë Ju siguroj dhe Ju ftoj që te pedagogët tuaj, te menaxhmenti i universitetit do të gjeni mbështetje të plotë.
E nderuar Shkëlqesi, Ambasador Jazbec, ju falënderoj shumë që jeni me ne në këtë ditë të parë të Vitit të ri Akademik. Duke folur për ëndrrat e gjeneratave të sotme jam i kënaqur që studentët tanë do të kenë mbështetjen e stafit tonë akademik, por edhe mbështetjen e bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të tyre në të gjithë Evropën. Sllovenia është miku ynë më i mirë me të cilin ndajmë të kaluarën, por jemi të lumtur që do ta ndajmë dhe të ardhmen në një familje – Bashkimin Evropian.Ju lutemi përcjellni komunitetit të studentëve tuaj, se studentët e Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup janë shumë të lumtur që do të bashkëpunojnë dhe do të jetë pjesë e familjes evropiane sa më shpejt që të jetë e mundur. Forcimi i bashkëpunimit ndëruniversitar midis studentëve dhe profesorëve, jam i sigurt, do ta ndihmojë shumë këtë proces.
Të dashur kolegë, të dashur studentë,
Siç thashë, kjo është dita e parë e studimit të Gjeneratës së KATËRT të studentëve në Univ. Nënë Tereza. Gjatë këtyre viteve ne kemi arritur të afirmojmë vlerat tona dhe t’i bëjmë ato të njohura për të gjithë. Nga këtu, dusa të shpreh kënaqësinë time të konkludoj se në mesin e këtyre 700 studentëve të pranuar këtë vit ka dy grupe të konsoliduara që do të ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase. Është grupi i Inxhinierisë së Trafikut dhe Dogana/shpedicion.
Kjo është një vlerë e shtuar për institucionin tonë dhe dëshmon qëllimin tonë të sinqertë dhe të qartë të shkruar në MISIONIN tonë që nga fillimi i katër viteve më parë se Universiteti në misionin e tij ka KRIJIMIN E KUADRIT PËR NEVOJAT SPECIFIKE TË TREGUT TË PUNËS DHE KOHEZIONIN SOCIAL NË SHOQËRI.
Me këtë rast nuk dua t’i numëroj arritjet në planin e ndërkombëtarizimit të aktivitetit tonë akademik, pasurimin me programe dhe me kuadra të reja dhe arritje tjera, por jam i shtërnguar të konstatoj që nga kjo dinamikë kaq e fuqishme e aktivitetit tonë do të duhet të sensibilizohet edhe qeveria për të përmbushur premtimin e saj për të ndërtuar Kampusin Universitar, ashtu sikurse që e ka paraparë në programin e vet qeverisës.
Për më shumë, le të shërbejë shembulli i kësaj dinamike, që më lehtë, më drejt dhe më shpejt, të kuptohen edhe kërkesat e përgjithshme të rinisë sonë, për një jetë më të mirë, për më shumë mundësi në punësim, për një vlerësim më të mirë të punës, për kushte të studimit dhe shkollimit më të mirë, nëse duam që të ndalin valën e tmerrshme të shpërnguljeve respektivisht zbrazjen e vendit nga rinia jonë e shtrenjtë.
Nobelisti Eli Visel, ka shkruar se ‘e keqja nuk janë problemet por indiferenca ndaj tyre’
Të gjithë ne, bashkë me studentët shpresoj që do të punojmë që tu japim përgjigje të gjitha problemeve që i kemi dhe do të na dalin në të ardhmen, fundja për këtë janë shkollat dhe universitetet.
Të dashur studentë,
Të nderuar kolegë e kolege, pedagogë dhe bashkëpunëtor të administratës ,
URIME VITIN E RI AKADEMIK dhe Ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë në studime dhe jetë.
Me respekt,
Prof. Dr. Aziz Pollozhani,
Rektor i UNT-së