Të dashur studentë!
Të nderuar kolege e kolegë!
Përfundimin e semestrit veror dhe fillimin e afatit të provimeve të gjithë e përjetuam dhe po e përjetojmë në një situatë të paparë deri më tani. Efekti lokal dhe global i pandemisë Kovid 19 ishte dhe mbetet sa i pabesueshëm po aq edhe i rrezikshëm për shëndetin tonë.
Duke marrë parasysh natyrën e tij akoma të panjohur ndërsa shkenca akoma po e studion fenomenin, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se efektet negative të Koronavirusit mbi shëndetin tonë më së shumti varen nga vetë ne. Si komunitet universitar, ne jemi të bindur se vetëm duke zbatuar rekomandimet e institucioneve të besueshme shëndetësore të përpiluara mbi metodologji shkencore dhe praktikat më të mira profesionale në botë, mund ta ndërpresim përhapjen e mëtejme të pandemisë dhe të kufizojmë dëmet e saj.
Duke parë rrjedhat e pavolitshme në ditët e fundit, dua që të potencoj edhe me këtë rast domosdoshmërinë për respektimin e rekomandimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe procedurat e parapara me Protokollin për realizimin e mësimit dhe provimeve, sepse vetëm kështu do të japim kontributin tonë për parandalimin e zgjerimit të pandemisë dhe më këtë edhe kursimin e shumë jetëve të njerëzve, në familjet tona dhe në përgjithësi.
Gjithashtu dua të t’ju siguroj se pedagogët dhe stafi Administrativ i Universitetit do të japin maksimumin nga vetja e tyre për të mundësuar që ju si studentë të realizoni me sukses ciklin e provimeve të cilët do të realizohen në formën që e zgjodhëm bashkarisht. Por, këtu keni rol edhe ju, si studentë dhe si intelektualë në formim, si shpresa e këtij vendi, në dhënien e kontributit individual që reflektohet në përgjegjësinë individuale në respektimin e masave mbrojtëse në luftën kundër pandemisë si në jetën universitare poashtu edhe në atë komunitare.
Unë dëshiroj që t’ju rikujtoj se sado e rëndë që duket situata, sado i pazgjidhshëm që duket problemi, me punë dhe bindje të përbashkët, me përgjegjësi individuale dhe me vetëdijësim kolektiv se me respektimin e rregullave dhe rekomendimeve shkencore do të mund të tejkalojmë edhe këtë gjendje. Duhet të kemi bindje se me përvojën e fituar do të dalim edhe më të fortë.
Rektor
Aziz Pollozhani