Të dashur studentë!
Të nderuara kolege e kolegë!
Pas letrës së parë në fundin e semestrit veror, po Ju drejtohem për së dyti herë, për fat të keq, për shqetësimin e njëjtë që lidhet me rrjedhat akademike në kushte të pandemisë Kovid 19.
Që në fillim dua t’ju falënderoj për mirëkuptimin dhe kontributin tuaj që bëri që ti përfundojmë me sukses obligimet e semestrit të kaluar dhe realizimin me sukses të fazës së regjistrimit të studentëve të rinj këtë vit.
Dëshiroj të theksoj se ky kontribut dhe ky bashkëpunim do të duhet të vazhdojë edhe më me sukses, sepse ballafaqimi me efektet e pandemisë Kovid 19, sipas gjitha gjasave, do të vazhdojë edhe gjatë semestrit që kemi përpara.
Unë jam i sigurtë që ky bashkëpunim do të jetë në nivelin e duhur sikurse edhe deri tani, mirëpo, nisur nga dimensioni i ri i mundshëm i pandemisë në kushte vjeshte dhe duke marrë parasysh përvojën e semestrit të kaluar më duhet të ju lus për një syçelësi dhe korrektësi edhe më të madhe për respektimin e masave parandaluese shëndetësore.
Higjiena personale, distanca fizike mes nesh dhe sidomos mbajtja e maskave mbrojtëse në fytyrë mbetet obligim i padiskutueshëm gjatë qëndrimit në ambientet e universitetit.
Vetëm mbajtja e maskës nga të gjithë dhe gjatë gjithë kohës që jemi në ambientet e universitetit mund të parandalojë përhapjen e sëmundjes dhe të kursejë shëndetin tuaj dhe jetën e të tjerëve.
Për një vit të suksesshëm akademik dhe për të kursyer shëndetin e secilit prej nesh ju ftoj që të gjithë, që me sjelljen tonë, të jemi në nivelin e duhur të përgjegjësive qytetare dhe akademike dhe të respektojmë normat për të cilat bashkë jemi dakorduar.
Një sjellje e përgjegjshme është më e pakta që mund të bëjmë për njeri-tjetrin dhe do të ishte mirëseardhja më e mirë për studentet e rinj që këtë vit fillojnë jetën akademike në Universitetin ‘Nënë Tereza’, të cilëve u dëshiroj sukses dhe u shpreh mirëseardhjen e ngrohtë në mesin tonë.
Rektori,
Aziz Pollozhani