GJUHA, PASQYRA MË E QARTË E NJË KOMBI DHE E KULTURËS SË TIJ

Shkup, 22.11.2023 – Fakulteti i Shkencave Humane pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, për nder të 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit, organizoi sot Konferencën e katërt shkencore me temë “Gjuha, Letërsia dhe Komunikimi Ndërkulturor”.

Në hapjen e konferencës kryetari i Këshillit organizativ Prof.dr. Mustafa Ibrahimi prezantoi temën ‘Ekolinguistika përballë interkulturalitetit në një shoqëri shumëgjuhëshe’ ku foli për ‘ekologjinë gjuhësore’ që në qendër të studimeve të veta ka raportin midis gjuhëve të mëdha dhe të vogla, si dhe për rrezikun e zhdukjes së gjuhëve të vogla.

Rektor i UNT-së, Prof.dr. Izet Zeqiri tha se këtë vit për nder të 22 nëntorit Ditës së Alfabetit konferenca po zhvillohet në Kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” ndërsa konferenca organizohet nga Fakulteti i Shkencave Humane, i themeluar vetëm disa muaj më parë. Mysafiri i nderit në Konferencë ishte Ministri i Arsimit dhe Shkencës z.Jeton Shaqiri i cili në fjalën e tij tha se Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por është simbol i identitetit kombëtar, historisë dhe trashëgimisë kulturore të një kombi.

‘Kështu edhe për ne, gjuha shqipe është e shenjtë, ajo ruan traditat dhe vlerat tona ndër breza, prandaj kjo është arsyeja pse ne duhet ta mësojmë, ruajmë, zhvillojmë dhe zgjerojmë atë, ndërsa sot është dita pikërisht kur duhet ta rikujtojmë këtë, këtu roli i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është kyç’, tha ministri Shaqiri.

Profesoresha Teuta Arifi në konferencë prezantoi temën ‘Interkulturalizmi si vlerë dhe koncept i Rilindjes sonë Kombëtare”, ndërsa rektori i parë i UNT-së Prof.dr. Azis Pollozhani u paraqit me temën ‘Interkulturalizmi një paradigmë e re e shoqërive multietnike’, ku theksoi se termi multikulturalizëm ka një sërë kuptimesh brenda konteksteve të sociologjisë, filozofisë politike dhe të përdorimit të përgjithshëm, sepse diskursi i debatit mbi këtë fenomen deri në vitet e para të këtij shekulli, kryesisht ishte pozitiv por me kalimin e kohës, ajo u perceptua si një mënyrë për të institucionalizuar dallimet përmes diskurseve kulturore autonome.

Profesori Zeqirja Neziri foli për “Fati i të folmes së arbneshëve të Zarës” prej shpërnguljes së tyre në vitin 1720 nga Mali i Zi i sotëm dhe përpjekjet e arbneshëve për ta kultivuar dhe ruajtur gjuhën e tyre arbneshe.‘Leksiku ndërkulturor dhe ndërgjuhësor në të folmen urbane të Strugës’ ishte punimi i Prof. Dr. Ajten Hajdari-Qamili nga Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqiptare pranë Fakultetit të Filologjisë “Bllazhe Koneski” në Shkup. Me fjalime u paraqitën edhe Niko Qafoku nga SHBA, Laslo Marácz nga Holanda, Goran Bandov nga Kroacia, Mario De Matteis nga Austria, Emil Lafe, Nexhip Mërkuri, Ali Jashari, Abdulla Ballhysa dhe Agron Xhagolli nga Shqipëria, Hysen Matoshi, Shpresa Hoxha, Xhafer Beqiraj, Begzad Baliu dhe Nevrije Ismaili nga Kosova, Zeqirja Neziri, Marijan Markoviq, Vebi Bexheti, Rubin Zemon dhe Izaim Murtezani nga Shkupi.

Nga UNT me tezat e tyre u paraqitën Prof.dr. Izer Maksuti, Prof.dr.Qatip Arifi, Doc.dr. Rilind Mahmudi, Doc.dr. Arta Bekteshi dhe Doc.dr. Edona Vinca. Punimet shkencore që u paraqitën në Konferencë do të botohen në numrin e katërt të Revistës “Interkultura” që botohet nga Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

By