Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti i Prishtinës do të bashkëpunojnë ngushtë në fushën akademike dhe shkencore. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga Prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, Prof. Dr. Naser Sahiti, vizitoi Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.

Gjatë kësaj vizite, Rektori i UP, Prof. Dr. Marjan Dema dhe Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Aziz Pollozhani nënshkruan një marrëveshje të bashkëpunimit, e cila do të sjellë më afër stafet dhe studentët e të dy universiteteve.

Gjatë takimit, Rektori i UP-së, Prof. Dr. Marjan Dema vlerësoi punën e bërë për ngritjen e këtij universiteti, i cili mban dhe emrin e shenjtores së madhe shqiptare Nënë Tereza, si dhe premtoi ndihmën dhe mbështetjen e Universitetit të Prishtinës për zhvillimin e tij të mëtejshëm. Marrëveshja e bashkëpunimit mundëson shkëmbimet e stafeve akademike, shkëmbimin e përvojës, pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare, etj.

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkupit, Prof. Dr. Aziz Pollozhani vlerësoi marrëveshjen e arritur si dhe theksoi rolin që ka Universiteti i Prishtinës në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Ai kërkoi fuqizimin e këtij bashkëpunimi me rëndësi të veçantë.

Gjithashtu, rektorit të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marjan Dema iu nda “Pllakatë e Mirënjohjes” nga Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Aziz Pollozhani, për kontributin dhe mbështetjen e arsimit në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë dhe në veçanti për mbështetjen Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

Në agjendën e këtij takimi ishin edhe vizitat te shtëpia muze e Nënë Terezës si dhe te përmendoret e  rilindasit Pjetër Bogdanit dhe Nexhat Agollit, ku u vendosën nga një buqetë me lule.

DSC_0572 DSC_0566 DSC_0591 DSC_0608 DSC_0624 DSC_0627 DSC_0631 DSC_0639 DSC_0647 DSC_0653

By