“Të nderuar,

         Paraqitja e fjalës së parë të shkruar në gjuhën shqipe, shkrimet e para, poemat dhe tregimet e njerëzve të letrave, ushqyen, zhvilluan, emancipuan dhe konsoliduan popullin shqiptar me të gjitha elementet e tij si komb modern.

        De Rada, Frashëllinjtë, Petro Nini, motrat Qiriazi, Noli, Mekuli dhe bashkëkohorët tanë Podrimja, Agolli, Kadare, Starova e shumë të tjerë përcollën tek gjenerata të tëra atdhedashurinë dhe mirëkuptimin. Kështu ata ndërtuan dhe pregaditën popullin shqiptar për të qënë krahpërkrah popujve të tjerë në fazat më kritike të historisë sonë. Në kontekstin e një tranzicioni socio-kulturor të zgjatur, duhet të hapim një diskutim për vëndin dhe rolin e arsimit për fuqizimin e këtij procesi. Shkollat tona, univeristetet tona, komuniteti jonë akademik do të jenë në ballë  të ideve dhe iniciativave për të vënë arsimin në funksion të fuqizimit të gjeneratave të reja për përballje më dinjitoze në kuadër të proceseve integruese dhe globalizuese.

         Shtetet e vogla, mund t’u përshtaten këtyre rrjedhave vetëm duke fuqizuar individët e vet me vlera, dije e kompetenca të krahasueshme me ato që i kemi pranuar si standard synues. Ky proces mund të zhvillohet me sukses vetëm në sistem arsimor cilësor, të modernizuar, efikas dhe gjithpërfshirës. Shtetet e rajonit të gjitha i përshtaten këtij përshkrimi dhe këtyre nevojave. Një ndër burimet më të vyeshme të rajonit janë pikërisht burimet njerëzore. Maqedonia ka një popullsi të konsiderueshme të rinjsh, kurse Kosova konsiderohet si një ndër shtetet me më shumë të rinj në Evropë. Maqedonia poashtu ka shumë të rinj kompetentë, shumë prej të cilëve, fatkeqsisht, po kërkojnë opcione jashtë shtetit.

        Është detyra e politik-bërësve dhe përgjegjësi e akademikëve që, në konsultim me nevojat e të rinjve, të bisedojnë mbi reformat e nevojshme për të zhvilluar një rini të përgatitur për sfidat e të ardhmes, një rini që do të mund të shpjerë rajonin në drejtimin e duhur. Shkurt, si të ndërtojmë një rini me vision dhe si mund t’u ndihmojmë atyre që të kenë mundësinë që vizionet e tyrë të bëhen realitet. Arsimi në Maqedoni ka pasur dhe vazhdon të ketë sfidat e tij, por është koha që në vend dhe në rajon të zhvillohen politika arsimore afatgjate me vizion të qartë dhe të mirëinformuar. Për këtë arsye është e rëndësishmë që të dihet e shkuara dhe e tashmja e historisë së arsimit, që të mund të ndërtohet e ardhmja.

        Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup u themelua me misionin për të krijuar një hapësirë akademike ku studentët mund të zhvillohen si individ dhe profesionistë. Në një botë që po ballafaqohet me globalizim të vazhdueshëm arsimi ngelet një nga veglat kryesore që mund të na ndihmojnë në përballimin dhe të ndikojë mbi ndryshimet që sjellin këto procese. Është e vështirë të parashihet saktësisht se ç’farë zhvillimesh i presin gjeneratat e ardhshme, por ne besojmë që duke kombinuar kompetencat për mendim kritik dhe analitik dhe duke inkurajuar shpirtin sipërmarrës të studentëve tanë, ne mund të ndihmojmë ata në krijimin e konditave të nevojshme për të përballuar të ardhmen e tyre. Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin dhe ambientin që na rrethon, dhe e theksojmë nevojën për udhëheqje inovative në çdo fushë që ka ndikim mbi nevojat njerëzore, që nga politike deri tek teknologjia.  Është misioni ynë që studentët tonë të jenë të aftë të bëhen udhëheqësit e së ardhmes në fushat e tyre të përzgjedhura.

           Për këtë qëllim, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, me rastin e manifestimeve për diten e madhe të alfabetit, mori përsipër që si aktivitet të parë të organizojë këtë Tryezë shkencore, për të diskutuar për rolin dhe vendin e arsimit tonë në ditët e sotme për një shoqëri më të hapur, më të drejtë, më demokratike, dhe më të përshtatshme për gjeneratat e reja.

        Shfrytëzoj rastin që t’ju njoftoj me kënaqesi që ne po realizojmë procesin arsimor në 11 programe nga 14 të parashikuara (që është përtej parashikimeve tona për këtë vit) duke u ndejkur nga 183 studentë. Padyshim nje fillim i mbarë.

           Ju dëshiroj panelistëve prezentim të suksesshëm kurse ju të gjithëve , urime dita e Alfabetit .

 

By